Diçka mbi veten tuaj
Jam Armela Tusha. Banoj në Tiranë. Studioj në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Pasionet e mia janë të shumta. Më pëlqen të merrem me sporte, pikturë, muzikë. Karriera ime ka startuar në moshën 5-vjeçare. Shumë rastësisht motra ime zbuloi që unë kisha talent për muzikë dhe më bëri pjesë të festivalit “Zërat e Rinj” ku u vlerësova me çmimin e parë. Sa më shumë kalonin vitet aq me shumë rritej numri i pjesëmarrjeve të mia në festivale të ndryshme për fëmijë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu një pjesë e rëndësishme e karrierës sime, ( nëse mund të quhet e tillë), kanë qenë edhe talent show-ët e ndryshëm.
Kur morët pjesë për herë të parë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Gjuhës
dhe Kulturës dhe si ndodhi?
Në fakt komunikimi im i parë me përfaqësues të kolegjeve turke ndodhi nëpërmjet zyshes sime të kantos. Ajo më adresoi tek kolegji turk. Bëra një audicion dhe fitova mundësinë për të kryer një kurs intensiv rreth gjuhës turke.
Pas një viti mora pjesë në konkursin e olimpiadës turke që zhvillohej në shqipëri, fitova një çmim dhe sigurova një vend për turne në turqi.
Çfarë përjetuat gjatë olimpiadës?
Për mua Olimpiada është eksperienca më e bukur që kam përjetuar deri tani. Gjithçka ka qenë fantastike. Unë kam qenë pjesë e olimpiadës së 11-të dhe 12-të dhe tani jam pjesë e olimpiadës së 13-të. Për mua mbresat më të mëdha i ka lënë olimpiada e 11-të. Kam fituar shumë nga ajo eksperiencë. Jam rritur si nga ana artistike ashtu edhe nga ana humane. Sinqerisht, kur i rikujtoj ato momente më duket sikur kam jetuar një ëndërr, sepse me të vërtetë ashtu ishte. Ishte një ëndërr nga e cila askush nuk kishte dëshirë të zgjohej. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë dhe mikpritjen e popullit turk, që nuk u lodhën kurrë së duartrokituri e së shijuari çdo performancë. Sigurisht që nuk mund të harrohen as stadiumet që mbusheshin plot e për plot me mijëra spektatorë që rrezatonin mirësi, udhëtimet e gjata që bënim nga njëri qytet në tjetrin. Edhe pse në një lodhje të skajshme, nuk mungonte kurrë humori e gëzimi në sytë tanë. Netët e shumta pa gjumë , që shoqëroheshin nga entuziazmi që na karakterizonte.
Kam njohur shumë moshatarë, nga gjithë kontinentet, me ngjyrë, rracë e fe të ndryshme. Mësuam të respektonim njëri tjetrin pa dallime e të bëheshim miq të vërtetë, miq zemre.
Sigurisht që momenti i ndarjes ishte shumë i trishtueshëm për këdo. Dukej sikur të gjithë kishim gjetur një familje të re, nga e cila nuk donim të largoheshim për asnjë çast. Do të largoheshim për t’ia lënë në dorë fatit takimin tonë të rradhës.
Tashmë ata zënë një pjesë të rëndësishme në jetën time. Kam mbartur kujtime që zor se do të harrohen ndonjëherë, do mbeten aty, nëpër skutat e shpirtit tim e do më rikujtojnë në çdo moment të vështirë se jeta është e bukur. Shpresoj që të përjetoj po të njëjtën kënaqësi edhe në olimpiadën e 13-të, në Afrikën e Jugut!
Çfarë mbresash keni nga Festivali Kulturor 2014?
Të them të drejtën, gjatë gjithë këtyre viteve që kam marrë pjesë në koncerte, nuk e kam parë pallatin e kongreseve kaq shumë të mbushur siç ishte me rastin e Festivalit Kulturor.
Festivali Kulturor rradhitet gjithashtu në eksperiencat më të bukura për mua. Ishte një organizim shumë i denjë e i punuar në detaje. Shpeshherë më ngjasonte me olimpiadën turke dhe ngjallte nostalgji brenda meje. Diçka e bukur e festivalit kulturor, përveç se krijon një atmosferë fantastike, bën të mundur edhe miqësimin e të rinjve nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Ndonjë mesazh apo përshëndetje për më të rinjtë?
Dua t’ju them që jeni me shumë fat që jeni pjesë e këtij organizimi. Shijojeni pafund sepse koha kalon shumë shpejt. Shijoni momentin e bëjeni sa më të bukur, që më pas të lërë gjurmë të thella në memorien tuaj. Ju uroj shumë suksese atyre që do të marrin pjesë në olimpiadë dhe në festivalin kulturor këtë vit! Shpresoj shumë që të kaloni një eksperiencë të paharrueshme ashtu siç ishte për mua!