Çdokush që ishte shikues i Festivalit Kulturor 2014 e kujton performancën e shkëlqyer të Loreta Zeqirit. Ajo kish ardhur nga Kosova për të marrë pjesë në festival duke e përfaqësuar denjshëm shkollën dhe vendin e saj. Me zërin e saj kumbues ajo solli këngën “Bishtalecat palë palë” duke i dhuruar emocione shikuesve.
E kontaktuar nga stafi ynë, Loreta pranon me kënaqësi të tregojë mbi veten e saj dhe mbresat në lidhje me festivalin:
– Une jam nje vjaze 17 vjeqare e cila me date 4 prill (2015) do te mbush plot 18 vjet. Jam nxenese ne Kolegjin turk Mehmet Akif në Lipjan. Jam ne klasen e 12-të (ne prage te perfundimit te saj) Hobi im, me pelqen te shkruaj dhe te lexoj libra, muzika eshte pasioni im. Studimet e metutjeshme mendoj ti vazhdoj ne Turqi.
– Për herë të parë me Festivalin Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Kulturës jam njohur në vitin 2012. Ishte po ai vit ku unë fillova shkollimin në kolegjin turk. Nuk kisha dëgjuar më parë për olimpijadën turke, mirëpo një shoqe imja e cila kishte qenë në kolegj më heret me njoftoi pak a shumë për këtë mrekulli… Në fillim nuk isha e sigurt sa i përket pjesëmarrjes time sepse kisha shumë emocione por më pas profesorët tanë na bënë ftesë që të merrnim pjesë në provat e zërit… Ja ashtu më erdhi radha edhe mua… Kuptova se me punë mund të ja dal, dhe ashtu do zhdukeshin edhe emocionet. Nuk isha vetëm unë ajo e cila do të merrte pjesë në garat që do mbaheshin në vijim (në Kosovë) kisha edhe shokë e shoqe tjerë të cilët kishin po aq shumë emocione dhe dëshirë për ta fituar këtë garë dhe për të vazhduar rrugën mëtutje… Fitova kompeticionin në Kosovë isha shumë e lumtur edhe pse nuk e dija ç’po më priste pastaj… Mirëpo kurioziteti i madh dhe dëshira ishin ato që mposhtën çdo sfidë të rradhës…
E pyetur për medaljen e artë që fitoi në Turqi si zëri më i bukur ajo shprehet:
- Ehh! Olimpijada turke, mrekullia vetë… Shumë shpesh mendoj se ishte ënderr, dhe une isha personazh i asaj ëndrre ku gjërat që ndodhnin atje ma bënin ëndrrën edhe më perfekte… Të shohësh njerëz nga vendet më të ndryshme të botës, të njohësh kultura e të dëgjosh gjuhë tjera. E mbi të gjitha të krijosh shoqëri me gjithë ata pjesëmarrës! E di çdo të thotë kjo?! Se kam një shtëpi në secilin vend të botës, kam një familje që më pret gjithmonë! Kjo ishte me të vërtetë pjesë e veçantë e të qenurit pjesë e festivalit turk. Përveq kësaj, më të veqant e bëri edhe fitimi i medaljes së artë ku fitova garën në “Ses Yarismasi” (Konkursi i Zërit). Aty derdha lot gëzimi. Nuk mund ta besoja se çfarë po ndodhte. 135 shtete dhe unë dola fituese si zëri më i bukur! E kuptova që çdo sekond i përkushtimit ndaj këtij festivali ishte një kënaqësi për mua, dhe ashtu do të mbetet gjithmonë.
Më pas, duke folur për Festivalin Kulturor të zhvilluar në Tiranë më 2014 ajo shprehet:
- Festivali kulturor është një event i mrekullueshëm. Eshtë i njëjti format me festivalin turk dhe e zotëron në mënyren më të mirë. Mua më ka ringjallur ndjenjën që kisha në festivalin turk, më rikujtoi provat që bënim në Turqi. Janë pothuajse të njëjta me ato që bënim edhe në festivalin kulturor. Jam ndjerë shumë e mirëpritur nga publiku. Ndonëse publiku sheh vetëm pjesën ku ne dalim dhe performojmë pa gabime por pas atyre perdeve fshihen profesorë, fshihen emocione, lodhje e shumë gjëra të tjera që kur dalim të performojmë në skenë, zhduken dhe mbetet ajo pjesa ku kënaqet publiku. Duket si magji për neve qe i dijmë të dyja anët e skenës. Dhe jam shumë e lumtur që isha edhe unë njëra ndër ata performuesit e emocionuar në skenën e festivalit kulturor ku më mirëpritën sikur të isha në shtëpinë time.
Loreta ka dhe një mesazh për talentet e reja:
Mesazhi im …
Nëse ke talent mos ngurro! Shprehe talentin! Jetës nuk i dihet kurrë! Dhe kurrë mos u dorëzo! Ata të cilët dorëzohen, dijnë për humbjen e tyre të sigurt. Ndërsa për ata të cilët nuk dorëzohen ka shpresa gjithmonë!